
Qeveria thotë se po “luftohet” me zjarre
AA
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nga Trubareva ku mbrëmë shpërtheu një zjarr i madh në një fabrikë për mbetje teknologjike, deklaroi se shumë nga zjarret e këtij viti janë shkaktuar qëllimisht. Ai tha se pas tyre qëndrojnë qendra pushteti brenda dhe jashtë vendit, të cilat sipas tij nuk dëshirojnë që qeveria aktuale të ketë sukses, përcjell INA.
“Diversione të tilla do të ketë edhe në periudhën që vijon, por ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të luftojmë, dhe në fund do të fitojmë. Kemi informacione nga shërbimet se kjo është e organizuar dhe se vjen nga qendra në shtet dhe jashtë tij”, tha Mickoski, duke iu bërë apel qytetarëve të mos bien pre e provokimeve.
Dyshime për zjarrvënie të qëllimshme konfirmoi edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, i cili theksoi se vendi është nën sulm “hibrid me zjarre”. Sipas tij, në disa raste janë gjetur dëshmi konkrete për ndezje të qëllimshme, ndonëse është e vështirë të sigurohen prova që do të qëndronin në gjykatë.
Nga zjarri në fabrikën e mbetjeve elektronike në Trubarevë, katër persona janë hospitalizuar – një banor lokal, një pjesëtar i ARM-së, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza Muhamed Ali, si dhe një polic. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se pacientët paraqitën simptoma të helmimit me tym dhe janë dërguar për trajtim në Klinikën e Toksikologjisë. Gjendja shëndetësore e tyre është stabile.
Ndërkohë, ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sqaroi se kompania “F-Group”, ku ndodhi shpërthimi, posedon leje të vlefshme për riciklim të baterive dhe mbetjeve elektronike, të lëshuar nga qeveria e kaluar në vitin 2021 dhe që vlen deri më 2031. Ai tha se janë angazhuar laboratorë të akredituar për matjen e ndotjes së ajrit dhe marrjen e mostrave nga toka, ndërsa priten rezultatet për të përcaktuar nivelin e ndotjes.
Institucionet kompetente paralajmëruan hetime të hollësishme për shkaqet e zjarrit dhe masat që do të ndërmerren ndaj kompanisë, nëse konstatohet shkelje ligjore.(INA)