
Qoku me kundërpërgjigje ndaj Taravarit: “Po, e lutëm shumë – por kësaj radhe nuk ia dolëm ta shqepim nga Aliu”
Pas deklaratës së Arben Taravarit, i cili tha se “para një viti ata vinin në Gostivar, luteshin e përuleshin që ta sjellim ndryshimin”, ka ardhur një reagim i drejtpërdrejtë nga anëtari i VLEN-it, Bekim Qoku.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Qoku e pranon se ata me të vërtetë i janë lutur Taravarit – por jo vetëm në Gostivar, siç thotë ky i fundit – por edhe në Tetovë, Shkup e deri në Prishtinë. Sipas Qokut, qëllimi ka qenë i qartë: ta largonin nga radhët e BDI-së dhe ta futnin në një kahje të re politike.
“E kemi lutur shumë. Tepër shumë. Aq shumë sa mezi e shqepëm nga BDI-ja e Aliut”, shkruan Qoku, duke shtuar se në atë kohë Taravari mori një vendim të drejtë duke ruajtur, siç thotë ai, “nderin e dinjitetin, të vetin e të anëtarëve të partisë”.
Por, sipas Qokut, këtë herë historia është ndryshe. Ai pohon se përsëri janë bërë përpjekje për ta bindur Taravarin që të mos kthehet drejt BDI-së, por se kësaj here nuk ia kanë dalë. “Kësaj radhe fatkeqësisht nuk ia dolëm ta shqepim nga magjepsja e Aliut”, thekson ai, duke lënë të kuptohet se bashkimi aktual i Taravarit me BDI-në është një hap pas.
Qoku përfundon reagimin e tij me tone reflektuese, duke thënë se edhe pse nuk ia dolën, beteja politike vazhdon: “Jeta dhe beteja vazhdon. Ecim tutje!”
Kjo kundërpërgjigje shënon një përshkallëzim të retorikës mes ish-aleatëve të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që vendi ndodhet në prag të përfundimit të ciklit zgjedhor.