Qytetarët denoncojnë: Rruga në Kondovë e shndërruar në “pistë skijimi” (VIDEO)
Qytetarët e fshatit Kondovë në Komunën e Sarajit ngrenë alarmin për gjendjen e rënduar të rrugës kryesore të fshatit, e cila prej muajsh është e vërshuar nga ujrat e gypave nëntokësorë. Si pasojë e mosintervenimit, gjatë temperaturave të ulëta rruga mbulohet me akull dhe shndërrohet në një rrezik serioz për banorët.
Banorët kanë dërguar fotografi dhe video që tregojnë gjendjen alarmante të rrugës, duke theksuar se situata është veçanërisht e rrezikshme gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur ngricat e bëjnë kalimin pothuajse të pamundur, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.
Sipas tyre, rruga sot më shumë i ngjan një “piste skijimi” sesa një infrastrukture që garanton siguri për qarkullim normal. Ata shprehen të shqetësuar se një aksident është vetëm çështje kohe.
Qytetarët thonë se për këtë problem kanë njoftuar me kohë Komunën e Sarajit, por pavarësisht denoncimeve të përsëritura, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim konkret nga institucionet përgjegjëse./Zyrtare.net/