Rafael Nadal nuk do të paraqitet në turneun e ATP-së në Paris
Tenisti spanjoll Rafael Nadal, definitivisht nuk do të marrë pjesë në turneun ATP në Paris, edhe pse një gjë e tillë u përmend në disa media relevante. Nadal nuk kërkoi “uajll kard” për të performuar në Paris dhe këtë e konfirmoi drejtori i turneut, Sedric Piolin, i cili tha se spanjolli po përgatitet për ndeshjet e “Dejvis Kupës”, që do të jetë e fundit në karrierën e tij.
“Është e vërtetë që kishte një mundësi që Nadal të mbërrinte në Paris dhe të luante për herë të fundit në turneun tonë, por situata u komplikua dhe ai anuloi pjesëmarrjen. Ai as që u paraqit në listën e ftuarve speciale, kështu që kjo çështje shpejt u mbyll. Mendimet e tij janë të përqendruara në ‘Dejvis Kupën’, dhe skuadra e tij ma konfirmoi këtë. Nadal pati një karrierë të shkëlqyer, veçanërisht këtu në Paris, por gjithsesi, ne do të duhet të pranojmë faktin se nuk do ta shohim më në fushat e tenisit”, përfundoi Piolin.
Nadal është fituesi i 22 titujve Grand Slam dhe konsiderohet si një nga tenistët më të mirë të të gjitha kohërave.