Raif Gashi e demanton ish punonjësin e UDB-së për Vahide Brahën: Ajo ka qenë një Shote Galicë, më ka strehuar në ilegalitet
Raif Gashi, një nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndjeu nevojën të shfaqet publikisht sot, përmes një reagimi në Gazetën Express, pasi dëgjoi të flitej jo mirë për një grua, për të cilën ai e thotë se ishte “një Shote Galicë”.
Abdullah Prapashtica, ish punonjës i sigurimit të shtetit në kohën e ish-Jugosllavisë, i cili pretendon se për vite me radhë punoi pa u zbuluar kundër atij sistemi, tha se ai vetë dhe anëtarë të tjerë të një organizimi që quhej Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi, ishin dekonspiruar pasi nga ilegaliteti kishte dalë “Hana”. E kishte fjalën për Vahide Brahën.
Kjo, “nuk ka lidhje me UDB-në”, tha ai, por aludoi se për shkak të “Hanës”, dekonspirimi shkoi te rrethet e tjera shqiptare të ilegalitetit dhe kështu, sipas tij, për organizimin e tyre mori vesh Drejtoria e Sigurimit Shtetëror, e njohur me akronimin UDB.
Raif Gashi, i cili për dy muaj kishte gjetur strehim te Vahide Braha, e përshkruan atë si “patriote të flaktë”. Ai tha se e njeh edhe Abdullah Prapashticën, të cilin thotë se e ka takuar pak para se të përfundonte lufta dhe dëshiron të demantojë gjithçka që ai tha për këtë grua.
Gashi thotë se Vahide Braha ishte gruaja e Meriman Brahës, i cili kishte qenë i burgosur politik “po në emër të kësaj partie, edhe pse s’ka qenë anëtar”. Djemtë e saj, Luftëtar dhe Trim Braha, ai thotë se i kishte sistemuar vetë në UÇK.
“‘Hana’ është Vahide Braha. Ka qenë një nga gratë e rralla të Kosovës, e cila ka ka kontribuar shumë. Ka marrë pjesë në demonstratat 1968, e ka mbajtë flamurin në demonstrata. Ka qenë pjesë e demonstratave të vitit 1981. Është vlerë e lëvizjeve revolucionare të Kosovës”, tha ai në një reagim për Express.
Me deklaratën e tij për Vahide Brahën, Gashi thotë se Prapashtica “në njëfarë mënyre e ka zhvlerësu komplet një njeri shumë të vlefshëm”.
“Unë më 1983-ën kam qenë gjashtë muaj në arrati, ilegal, para se të shkoja në Shqipëri, dhe një nga tre bazat e mia ka qenë shtëpia e Vahide dhe Meriman Brahës. Jam strehuar edhe në familjen e Kadri Osmanit, bashkëvuajtës me Adem Demaçin, dhe në familjen e Skënder Hajdarit. Familje shumë të respektuara. Edhe familja e Meriman Brahës është familje të burgosurish, të persekutuar, të internuar ndër vite. Ndërsa Vahide Braha për dy muaj më ka mbajtë mua me bukë, me strehim, me siguri, para se ta kaloja kufirin në Gjakovë për të kaluar në Shqipëri”, thotë ai.
“Ajo që ka qenë brilante, ka qenë në gjendje ta japë jetën për mua. Merimani ka qenë në burg, dhe kështu ajo ka rrezikuar edhe më shumë se aq. Ndërsa tash ky e përfol atë dhe e bën gati bashkëpunëtore të sigurimit të shtetit, sigurimit të Jugosllavisë”, shton Gashi.
Ai thotë se është befasuar gjithashtu kur thotë se dëgjoi Prapashticën të thoshte se kishte qenë edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“U befasova kur e dëgjova deklaratën e tij se paska qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Edhe këtë e demantoj. Abdullah Prapashtica është rekrutuar në UÇK jo më shumë e jo më pak sesa dy muaj pa përfunduar lufta dhe një nga njerëzit që e kam pritë dhe e kam sistemu jam unë – me propozim të Azem Sylës – në bazën e UÇK-së në Malin e Dajtit”, thotë Gashi.