Ramadani: Deklaratat e Taravarit nuk janë sulm, por reflektim i sinqertë politik
Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka reaguar lidhur me debatet e fundit brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se këto diskutime janë normale dhe pjesë e një procesi demokratik të shëndetshëm.
Sipas Ramadanit, deklaratat e Arben Taravarit nuk duhet të interpretohen si sulm ndaj VLEN-it, por si një reflektim i një qasjeje të sinqertë dhe konstruktive në politikë. Ai shtoi se në çdo koalicion qeverisës është e natyrshme të ketë debat mbi vendime të rëndësishme, siç janë listat e këshilltarëve për zgjedhjet komunale.
“Një koalicion i fortë nuk matet nga mungesa e debatit, por nga aftësia për të gjetur zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Në vend që të shihet si përçarje, kjo situatë është një mundësi për të forcuar unitetin dhe për të garantuar vendime sa më të drejta e gjithëpërfshirëse,” deklaroi Ramadani.
Ai theksoi se koalicioni ka hyrë në politikë me një mision të qartë për ndryshim dhe drejtësi dhe se pjesë e këtij misioni është ndërtimi i një kulture të re politike, ku kritikat shihen si forcë ndërtuese dhe jo si ndasi.
“Qytetarët presin nga ne maturi dhe përkushtim për interesin e përbashkët. Bashkëpunimi duhet të vazhdojë në frymën e reformave dhe përkushtimit ndaj qytetarëve,” përfundoi Ramadani./shprehja.com