
Ramadani: Koalicioni BDI–Arsovska–Levica po e çon Shkupin drejt katastrofës higjienike
Këshilltarja e Qytetit të Shkupit nga rradhët e koalicionit VLEN, Rejhane Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes alarmante të pastërtisë në kryeqytet, duke e quajtur një rrezik serioz për shëndetin publik dhe një pasojë direkte e keqqeverisjes së koalicionit BDI–Arsovska–Levica.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ramadani thekson se situata me mbeturinat po del jashtë kontrollit, me erë të rëndë që shpërndahet gjithandej dhe rrezik për shpërthimin e epidemive në kushtet e temperaturave të larta të verës.
“Po ndodh ekocid në shekullin 21,” ka shkruar Ramadani, duke paralajmëruar se ndotja nuk është vetëm çështje estetike, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve.
Ajo i ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin masa urgjente për përmirësimin e situatës dhe për të garantuar kushte jetese dinjitoze për banorët.
“Higjiena komunale nuk është vetëm çështje estetike, por një nevojë jetike për mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e epidemive. Këta banorë nuk e meritojnë të jetojnë në një ambient toksik. Kur qyteti mbytet në mbeturina, fajtorët kanë emra dhe mbiemra,” theksoi Ramadani.