
Ramadani me apel të fuqishëm: “Le të zgjedhim jetën, jo dhunën”
Sekretari i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka reaguar përmes një mesazhi publik ku shpreh shqetësimin e thellë për rritjen e rasteve të dhunës, vrasjes dhe tragjediveë që po godasin familjet shqiptare në vend.
Në një status emocional, Ramadani bën apel për vetëdijësim dhe reflektim kolektiv, duke theksuar se dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje.
Postimi i plotë:
Apel për Vetëdijësim dhe Ndalje të Dhunës: Të Zgjedhim Jetën!
Të dashur qytetarë,
Me shqetësim të thellë, po bëhemi dëshmitarë se si vendi ynë po tronditet nga ngjarje të rënda që po lënë pasoja të pashërueshme në shumë familje. Jetë njerëzish po shuhen në mënyrë tragjike, e bashkë me to, edhe besimi ynë në siguri, në drejtësi dhe në humanitetin që na ka karakterizuar si popull ndër shekuj.
Është koha të ndalemi. Të reflektojmë si njerëz, si prindër, si motra e vëllezër, si pjesë e një kombi që gjithmonë ka ditur të ruajë dinjitetin edhe në kohë të vështira. Dhuna nuk është zgjidhje. Ajo lë plagë që nuk shërohen kurrë , as te viktimat, as te kryesit, as te shoqëria.
Apelojmë për vetëpërmbajtje, për vetëdijësim dhe për reflektim. Nxisim që secili prej nesh të mos jetë spektator pasiv, por zë i arsyes, i paqes dhe i jetës.
Të punojmë për një shoqëri ku zemërimi nuk merr jetë, por ku dashuria për njeriun fiton. Le të zgjedhim jetën, le të zgjedhim njerëzoren.