
Ramadani: Thirrjet raciste në prani të Mickoskit, heshtja është bashkëpërgjegjësi
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Blerant Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjeve të mbrëmshme në Kumanovë, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje të rënda me përmbajtje raciste dhe antishqiptare nga publiku.
“Në vend që të ishte arenë sporti, Kumanova mbrëmë u shndërrua në skenë të urrejtjes së paprecedent, me thirrje si ‘Shqiptari i mirë është i vdekur’,” deklaroi Ramadani, duke theksuar se këto ndodhën në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit.
Sipas tij, mungesa e reagimit nga institucionet nuk është thjesht pasivitet, por “bashkëpërgjegjësi morale dhe politike.”
Ramadani kërkoi hetim të menjëhershëm, ndëshkim shembullor dhe reagim institucional për të garantuar që raste të tilla të mos përsëriten në një shtet që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Bashkëjetesa nuk është opsion – është detyrim kushtetues dhe vlerë europiane. Dhe ne nuk do të heshtim,” përfundoi ai.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa opinioni publik kërkon përgjegjësi konkrete, jo vetëm deklarata të zbrazëta.
The post Ramadani: Thirrjet raciste në prani të Mickoskit, heshtja është bashkëpërgjegjësi appeared first on Flaka, në çdo lajm… .