
Rasell: Rezultatet më japin besim se mund të konkurojmë fortë
Tashmë që Luis Hamilton ka kaluar te Ferrari, te makina “Mercedes” është britaniku Xhorxh Rasell, ai që do të luajë rolin e pilotit kryesor. Ai arriti ta përballojë me sukses rivalitetin me 7 herë kampionin e botës në Formula 1, duke fituar edhe dy gara vitin e kaluar.
Arritja e këtyre rezultateve kundër një legjende të Formula 1 vetëm mund ta bëjë Rassellin krenar, i cili tani ndihet i gatshëm të luftojë për majën. Ndoshta që në vitin 2025 nëse “Mercedes” do të bënte hapin përpara që MekLaren dhe Ferrari treguan muajt e fundit të vitit të kaluar.
“Jam shumë i kënaqur me performancën time në 2024-ën dhe mendoj se provat zyrtare kanë shkuar mirë, me 4 “pole position”. Sa herë që kishim mundësinë të luftonim për fitoren, ishim në një pozicion për ta marrë atë. Unë mendoj se vetëm në Kanada jemi paraqitur dobët”, tha Rasell.
“Këto rezultate më japin besim. Nëse do të ndërtonim makinën e duhur do të mund të luftonim për kampionatin dhe ta fitonim atë. Përfituam nga të gjitha ato pak mundësi që patëm vitin e kaluar. Si ekip, ne kemi fituar pothuajse po aq gara sa MekLaren, gjë që është e çmendur”, tha Rasell.