
Rasti për dy të dyshuarit për vrasje në tentativë në Gjakovë, çka deklaroi mbrojtja në seancë?

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës Simon Tahirin dhe Enrik Berishën të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” në një objekt në Fushë Kosovë, rast ky i ndodhur para më shumë se dy javësh në Gjakovë.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve. Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve, meqë siç thotë Prokuroria ka precedent për këtë meqë qëndruan në arrati për më shumë se dy javë.
Kërkesën e Prokurorisë në seancën e së dielës për dy të pandehurit e ka kundërshtuar mbrojtja e Simon Tahirit, avokati Prek Kola. Ky i fundit ka thënë se Prokuroria nuk e ka qartësuar se kush ka gjuajtur me armë dhe e ngarkon Tahirin me një vepër pa dyshim të bazuar për armëmbajtje pa leje.
“E kundërshtojmë në tërësi kërkesën e Prokurorisë ndaj të mbrojturit tim për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që kjo kërkesë fillimisht nuk është e bazuar pasi prokuroria nga provat që i ka cekur në kërkesë nuk ka bërë të qartë artikulueshmërinë e këtyre provave për ti saktësuar saktë veprimet e të mbrojturit tim ditën kritike. Nga dispozitivi i kërkesës shihet qartë se Prokuroria nuk e sqaron qartë se kush ka gjuajtur, ndërsa, të mbrojturin tim e ngarkon edhe me një vepër tjetër të armëmbajtjes pa leje, pra, fillimisht këtu është i paqartë dyshimi i bazuar për veprat për të cilat ngarkohet i mbrojturi im”, deklaroi avokati Kola.
“Po ashtu, konsiderojmë se nuk janë plotësuar edhe kushtet tjera ligjore sepse, është e vërtetë që i mbrojturi im gjendet në arrati që nga data 20.01.2025, por, që nga ajo datë nuk ka ndërmarr asnjë veprim për kryerjen apo përfundimin e veprës penale siç pretendon prokuroria, po ashtu, nga ajo datë edhe pse ka qenë në liri nuk ka ndërmarr asnjë veprim për të ndikuar tek te pandehurit tjerë, të dëmtuarit apo të dëshmitarit të cilët i ka cekur prokuroria në kërkesë, andaj, këto arsye nuk qëndrojnë sepse të kishte qenë qëllimi ka pasur mundësi ti marr këto veprimet
Po ashtu, sa i përket peshës së veprës penale ne konsiderojmë se tani në fazë të hetimeve dhe besojmë që nuk do të arrihet të vërtetohet dyshimi i bazuar që i mbrojturi im ka kryer këtë vepër dhe masa e paraburgimit është tejet e rëndë me veprimet që pretendohet që i ka ndërmarr i mbrojturi im ditën kritike. I mbrojturi im ka dhënë një deklaratë në polici, e cila do ti shërbej si provë në të ardhmen dhe nuk ka asnjë qëllim që të ndikoi në këtë procedurë penale ndaj të dëmtuarit apo dëshmitarët andaj, gjykatës i propozoi që ta refuzoi këtë masë dhe ndaj të mbrojturit tim ti caktohet ndonjë masë më e butë siç është ajo e arrestit shtëpiak, pasi edhe sipas informimit të njëjtit edhe e kanë iniciuar procedurën për pajtimin me palën e dëmtuar dhe nuk ka ndonjë rrezik për përsëritjen e veprës”, përfundon avokati Prek Kolaj. /Insajderi.org/