
Reagim nga Forina: BDI pyet qeverinë aktuale për dy vite pa investime

Nëndega e BDI-së në Forinë ka reaguar ndaj funksionarëve të qeverisë aktuale, duke iu drejtuar me një pyetje të drejtpërdrejtë se çfarë është realizuar për Forinën gjatë dy viteve të fundit të qeverisjes.
“E nderuara znj. Saranda, me anë të këtij reagimi dëshirojmë t’ju informojmë dhe njëkohësisht t’ju rikujtojmë se politika nuk është muzikë, por përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe vendbanimeve që përfaqësojmë”, thuhet në reagimin e Nëndegës.
Ata përmendin investimet që, sipas tyre, janë realizuar në periudhën e qeverisjes së BDI-së në këtë lokalitet, duke nisur nga kanalizimi (2002), ujësjellësi (2004), asfaltimi i rrugës kryesore (2007 dhe 2018), mëvetësimi i shkollës fillore (2014–2015), ndërtimi i qendrës së fshatit (2015), rikonstruksioni i shkollës dhe disa investime në infrastrukturën lokale.
Gjithashtu, BDI Forinë thekson se fshati ka qenë i përfaqësuar në nivele të larta politike dhe institucionale, duke përfshirë poste si zv/ministër i Mbrojtjes, deputet në Kuvend, ministrin e parë shqiptar të Mbrojtjes, kryetarin e parë shqiptar të Kuvendit dhe madje edhe kryeministrin e parë shqiptar. Sipas tyre, përmes BDI-së janë mundësuar edhe rreth 120 punësime për banorët e Forinës.
Në fund, ata e adresojnë pyetjen e tyre për funksionarët aktualë:
“Duke pasur parasysh këtë histori konkrete të punëve dhe përfaqësimit, ne si lokalitet Forinë ju drejtojmë pyetjen e drejtpërdrejtë juve dhe funksionerve të qeverisë tuaj që vijnë nga Forina: Çfarë është realizuar për Forinën gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes aktuale?” Flaka