Reagon Blerim Bexheti: Tentativa për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dështoi falë Badenterit
Blerim Bexheti ka reaguar pas seancës së sotme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku u rrëzua tentativa për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
“Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tentativa për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, e bërë pa konsultim me OSBE-ODIHR dhe pa përfshirjen e deputetëve të Aleancës Kombëtare për Integrim në një proces të hapur e gjithëpërfshirës, nuk kaloi falë shumicës së dyfishtë – Badenterit,” theksoi Bexheti.
Ai e cilësoi këtë rezultat si fitore të parimeve demokratike dhe respektimit të zërit të qytetarëve.
“Ligjet që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e vendit dhe proceset zgjedhore duhet të hartohen me transparencë, konsensus dhe respekt për standardet ndërkombëtare,” shtoi ai.
Duke kritikuar pushtetin aktual, Bexheti tha se:
“Përpjekjet e partive të VLEN, të cilat sot mbajnë pushtet pa legjitimitet etnik në një qeveri antishqiptare, nuk mund të cenojnë të drejtat dhe përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve.”
Në fund, ai garantoi se Aleanca Kombëtare për Integrim do të mbetet e vendosur që çdo ndryshim ligjor të bëhet vetëm në funksion të demokracisë, barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve në vend.






