
Reagon edhe Tirana zyrtare për skandalin në Kumanovë: Thirrjet raciste janë të papranueshme
Pas skandalit në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u shoqërua me thirrje ofenduese dhe raciste ndaj shqiptarëve, ka reaguar edhe Tirana zyrtare. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka cilësuar ngjarjen si të papranueshme dhe si një sinjal alarmi për institucionet në Maqedoninë e Veriut.
“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë,” deklaroi Spiropali.
Duke denoncuar gjuhën e urrejtjes që u shfaq publikisht në një event sportiv, ajo theksoi rëndësinë që sporti duhet të luajë në ndërtimin e bashkëjetesës:
“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.”
Kryetarja e Kuvendit shqiptar vlerësoi reagimin e disa institucioneve në Maqedoninë e Veriut, por theksoi se nevojitet një reagim më i qartë dhe i fortë nga figura të larta shtetërore:
“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më të fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.”
Ajo rikujtoi se bashkëjetesa ndëretnike nuk është vetëm një çështje retorike, por një vlerë që duhet të mbrohet dhe promovohet me vendosmëri:
“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.”
Në përfundim, Spiropali dërgoi një mesazh të qartë për orientimin që duhet të ketë shoqëria rajonale:
“Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.” Flaka
The post Reagon edhe Tirana zyrtare për skandalin në Kumanovë: Thirrjet raciste janë të papranueshme appeared first on Flaka, në çdo lajm… .