Reagon Simone Inzagi, iu përgjuan telefonatat e tij me ultrasit mafiozë
Arrestimet në masë të kapoultrasve të Interit dhe Milanit, kanë nxjerrë në skenë edhe personazhe shumë të njohura të klubeve që kanë pasur kontakte me këta tifozë të cilët bashkëpunonin shpesh me mafien dhe kishin kthyer “San Siron” në një qendër përfitimesh personale nëpërmjet aktiviteteve kriminale.
Policia ka një sërë përgjimesh që vërtetojnë të gjitha veprimet e jashtëligjshme të ultrasve mafiozë dhe mes tyre, janë edhe kontaktet që kanë ata me drejtues të klubit apo edhe pjesëtarë të skuadrave. Një prej tyre, është edhe Simone Inzagi, i cili është dashur të flasë në konferencë për shtyp për ndeshjen e Ligës së Kampioneve edhe për këtë çështje.
Një telefonatë tregonte se si një kapoultras i kërkonte Inzagit t’i siguronte më shumë bileta në tribunë për finalen e Ligës së Kampioneve, duke marrë nga trajneri konfirmimin se do të fliste me Marotën dhe Zanetin për këtë çështje.
“Klubi më ka thënë që të mos them asgjë rreth asaj që ka ndodhur. Ka një hetim që po vazhdon”, ishte momenti i Inzagit rreth kësaj çështje ne konferencë, duke bërë të qartë se nuk do të prononcohej rreth kontakteve që kishte pasur me ultrasit mafiozë.