Real Madridi e ofron mesfushorin turk te Milani, por me një kusht
Lëvizje të reja në aksin Madrid-Milan, me Realin dhe “Djallin” që mund të përsërisin operacionet e ndryshme të së kaluarës, duke përfshirë edhe atë të fundit, Brahim Diaz. Këtë herë flitet për Arda Guler.
Ylli turk po konsumon një sezon të trazuar, i prekur nga dëmtimet, që e kanë detyruar të luajë 92 minuta deri më tani, të shpërndara në 5 paraqitje në La Liga dhe Kupën e Mbretit. Ai do të largohet sezonin e ardhshëm, duke parë se nuk ka hapësirë te “Los Blancos”, dhe sipas “Tuttosport”, një nga opsionet për të ardhmen ka të bëjë me Milanin, klubin që e kishte kërkuar në verë.
Milani po reflekton se çfarë të bëjë dhe do të donte garanci të sakta, veçanërisht për kushtet e marrëveshjes. Klubi kuqezi dëshiron të diktojë kushtet e tij, pra të ketë një klauzolë blerjeje në favor, gjithashtu garanci më të mëdha për të ardhmen. Nga ana e tij, Perez do vetëm ta huazojë turkun, që të luajë më shumë, të rritet si futbollist dhe të kthehet në “Bernabeu” i kalitur plotësisht.