
Rebelim brenda Lëvizjes Demokratike – Kritika edhe nga Kumanova
Pakënaqësia ndaj mungesës së organizimit brenda Lëvizjes Demokratike, e udhëhequr nga Izet Mexhiti, po bëhet gjithnjë e më e zëshme nga radhët e brendshme të subjektit. Pas reagimeve të njëpasnjëshme, sot ka folur hapur edhe Bashkim Saiti, anëtar nga Kumanova.
“Sot, në orën 1 të ditës, bëhen dy vjet që u ngrit Lëvizja Demokratike. Dy vjet plot shpresë, besim e mund prej atyne që u hodhën në këtë rrugë me zemër. Po, hajde ta themi troç: dy vjet nuk janë pak – e hala pa struktura, pa organe që punojnë, pa drejtim të kjartë ku po shkojmë,” deklaroi Saiti.
Ai paralajmëroi se durimi i qytetarëve është drejt fundit: “Rinia ka prit me durim. Populli ka besu me shpirt. Po pritja e gjatë kthehet në zhgënjim, e fjala e thatë nuk i han ma kush. O veprojmë sot burrnisht, o e mbyllim me faqe të bardhë.”
Ky reagim vjen pasi një nga themeluesit e Lëvizjes, Muhamet Ameti, doli me një thirrje të ngjashme, duke e cilësuar përvjetorin e dytë si “përvjetorin e fundit pa organe, pa llogaridhënie dhe vetëm me fjalë por pa vepra”.
Gjithashtu, edhe Fejzulla Kovaçi, anëtar i LD-së dhe kushëri i liderit Mexhiti, mbështeti publikisht mesazhin e Ametit, duke shkruar: “Shumë e vërtetë, po kur mundin që e dham mos ju qoftë hallall.”
Reagimet e njëpasnjëshme nga figura brenda LD-së po e thellojnë perceptimin e krizës së brendshme, duke treguar se pakënaqësia nuk vjen më vetëm nga baza, por edhe nga njerëz pranë drejtimit të partisë. Flaka Media