
Red Bull konfirmon pilotin meksikan deri në vitin 2026
Skuadra e “Red Bull Racing” ka vendosur t’i rinovojë kontratën edhe për dy vite të tjera pilotit meksikan Serhio Perez. Ai do të garojë me makinën kampione deri në vitin 2026.
“Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të garoj me këtë skuadër. Është një sfidë të garosh për Red Bull. Dua të falënderoj të gjithë për besimin dhe dua t’ua shpërblej në pistë. Mendoj se kemi shumë punë për të bërë dhe shumë kampione të tjerë për të fituar së bashku”, u shpreh piloti meksikan.
Edhe shefi Kristian Horner foli për mediat.
“Jemi të lumtur që do të vazhdojmë të punojmë së bashku. Vijueshmëria e stabiliteti janë të rëndësishëm për skuadrën tonë. Dyshja Verstapen-Perez është e konsoliduar prej vitesh,” tha mes tjerash shefi i skuadrës austriake.
Kontrata e re do t’i japë mundësi meksikanit të garojë me Red Bull në Formula 1 deri në moshën 36-vjeçare. Kjo i mbyll derën Karlos Sainz, që mund ta zëvendësonte vitin tjetër.