Rënia e Assad, Blinken udhëtim ‘rrufe’ në Lindjen e Mesme! Zbardhet axhenda
Kreu i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, do të shkojë në Jordani dhe më pas në Turqi , për të biseduar rreth situatës në Siri pas përmbysjes së Bashar al-Assad, por burime të Departamentit të Shtetit nuk përjashtojnë që të ketë ndalesa të tjera në udhëtimin e tij.
Blinken do të ketë bisedime të enjten (12/12) në Akaba, për Detin e Kuq dhe të premten (13/12) do të jetë në Ankara.
Në turneun e tij, ai do të “përsëritë se SHBA-ja mbështet një tranzicion (politik) përfshirës” që do të çojë në një qeveri “të përgjegjshme dhe përfaqësuese”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ai do të theksojë gjithashtu nevojën që qeveria e re siriane të respektojë të drejtat e pakicave, të lehtësojë shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe të mos lejojë që Siria të bëhet një bazë terroriste apo një kërcënim për fqinjët e saj. Ai gjithashtu duhet të kujdeset që rezervat e armëve kimike të shkatërrohen.
Kjo është vizita e 12-të e Blinken në Lindjen e Mesme që nga 7 tetori 2023, pas masakrës së kryer nga Hamasi në tokën izraelite dhe luftës pasuese në Rripin e Gazës.
Në turneun e tij, sekretari amerikan synon të nënvizojë nevojën urgjente për të përfunduar një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe për të siguruar lirimin e pengjeve ende në duart e Hamasit.
Është e mundur që Blinken të bëjë një ndalesë edhe në vende të tjera.
Pavarësisht përpjekjeve të saj të pandërprera, administrata e Presidentit Joe Biden është nën zjarr të fortë për politikën e saj në Lindjen e Mesme dhe paaftësinë e saj për të arritur një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit.