Reshje të dendura bore, ShKShMK me apel: Kujdes në bjeshkë e pyje, gropat e drunjëve janë vdekjeprurëse
Pas reshjeve të dendura të borës në Kosovë të cilat pritet të përcjellën edhe me erëra të fuqishme veriore, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor ka dalë me një reagim për të gjithë qytetarët e vendit që duan ta kalojnë këtë fundjavë në bjeshkë apo pyje, raporton Gazeta Sinjali.
ShKShMK kërkon që të ketë kujdes gjatë skjimit, e sidomos skijimit në pyje, pasi gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.
Po ashtu, apelohet kujdes i shtuar në shtigjet apo kalimet e ekspozuar gjatë ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore, si dhe pajisja me mjetet e duhura për këtë aktivitet.
Apeli i plotë nga ShKShMK:
Të nderuar bjeshkatarë, skitarë dhe qytetarë !
Këtë fundjavë sipas parashikimeve sinoptike pritet të kemi të rreshura bore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e sidomos në viset malore.
Të reshurat do të jenë të dendura dhe të përcjellura me erëra të fuqishme veriore.
Andaj të keni kujdes gjatë skijimit ( jasht shtigjeve të rregulluara) apo ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore nga 30°~50° , e sidomos në shtigjet apo kalimet e ekspozuara.
Pas rreshjeve të borës pritni për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës.
Mos skijoni/ ngjiteni të vetmuar !
Planifikoni itinerarin me kujdes dhe njoftoni të tjerët për atë !
Kujdes gjatë skijimit në pyje , gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse!
Nëse zhvilloni aktivitete të ski-bjeshkatarisë doemos posedoni pajisjet obligative për siguri:
-Transmetuesin
-Lopatën
-Sondën
-Çantën e ndihmës së parë
-Helmetën
-Kazmën
-Kthetrat
-Veshmbathje adekuate dimërore
-Telefonin e karikuar
-Llampë,
dhe të gjitha pajisjet e tjera të nevojshme.
Për çdo urgjencë kontaktoni në numrat:
112
+383 49 84 02 28