“Rinia ka nevojë për ura konkrete bashkëpunimi”, deputetja Mila takim në Prishtinë me deputetin e AAK-së Tahirin
Deputetja e Partia Socialiste, Sara Mila, ka zhvilluar një vizitë pune në Prishtinë, ku u prit nga deputeti i opozitës Besnik Tahiri, përfaqësues i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Takimi u fokusua jo vetëm në njohjen me funksionimin institucional të Kuvendit, por edhe në një shkëmbim idesh mbi rolin që duhet të luajnë parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës në fuqizimin e të rinjve dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Të dy deputetët u ndalën edhe në iniciativën “EUth Balkans”, ku deputeti Tahiri shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm, me synimin për ta kthyer energjinë dhe potencialin e të rinjve në politika konkrete, projekte të përbashkëta dhe në platforma reale vendimmarrjeje.
“Ky takim ishte një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërparlamentare dhe një sinjal i qartë se sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë dhe të ardhmen europiane të rajonit tonë, ne duhet të jemi gjithmonë bashkë. Rinia shqiptare në Tiranë, Prishtinë apo kudo në rajon, nuk ka nevojë vetëm për fjalë motivuese, por për ura konkrete bashkëpunimi dhe mbështetje institucionale”, deklaroi deputetja Mila.
Ndërkohë që në kuadër të kësaj nisme
deputetja Mila së bashku me Gjergji Ogrenin, këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ernest Thanasin, ekpert në
çështjet e politikës dhe BE-së zhvilluan një takim me të rinjtë e shkollës “European School of Kosovo”, ku në fokus ishte pikërisht roli dhe bashkëpunimi i strukturave rinore në ndërtimin e platformave politike rajonale.
Ndalesa me të rinjtë e Prishtinës në kuadër të turit rajonal EUth Balkans, vjen pas takimit në Preshevë, ku qëllimi kryesor mbetet forcimi i dialogut politik me të rinjtë e Ballkanit Perëndimor dhe përfshirja aktive e tyre në proceset vendimmarrëse dhe integrimin europian.