Rinia me mbështetje të veçantë: 60 mijë denarë për startup-e, premton Valbon Limani
Në programin e tij, kryetari i Gostivarit i kushtoi një rëndësi të veçantë të rinjve, duke paralajmëruar mbështetje konkrete financiare për nismat e tyre biznesore.
“Për çdo të re apo të ri deri në 30 vjeç, ne do të mbështesim me 60 mijë denarë bizneset e tyre. Çdo vit do të përkrahim 30 prej tyre dhe do të jemi të lumtur të japim një dorë të vogël ndihmese në hapat e parë. Mezi pres që ta fillojmë këtë bashkëpunim! Jam i bindur që mendjet gjeniale të rinisë do të realizojnë biznese të mrekullueshme që do t’i shërbejnë atyre dhe Gostivarit”, tha Limani.
Sipas tij, ky projekt synon të nxisë sipërmarrjen dhe të motivojë të rinjtë të qëndrojnë në vendlindjen e tyre.

Parking i ri dhe shesh i gjelbëruar në zemër të Gostivarit
Një tjetër projekt i rëndësishëm i paralajmëruar nga Limani është ndërtimi i një parkingu modern në qendër të qytetit, i cili do të kombinohet me hapësira të gjelbra për qytetarët.
“Do të kemi më shumë vende parkimi dhe mbi të gjitha një shesh të gjelbëruar pa makina. Si çdo projekt tjetër, edhe ky do të realizohet nga ekipet tona, por do të përurohet nga ju”, deklaroi ai.
Limani shtoi se ky projekt do të lehtësojë qarkullimin urban dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës në qytet. Ai theksoi gjithashtu se asnjë vendbanim nuk do të anashkalohet, pasi për çdo fshat janë parashikuar projekte zhvillimore që adresojnë nevojat më urgjente të tyre.

Valbon Limani prezanton projektin për “Urën e Harmonisë” mbi lumin Vardar
Në një atmosferë festive para qytetarëve të Gostivarit, kryetari i Komunës dhe kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, prezantoi projektet kryesore të programit zgjedhor. Në prani të liderëve Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, bartësit të listës Valdet Xhaferi, kandidatëve për këshilltarë komunalë, si dhe strukturës partiake e zgjedhore, Limani shpalosi vizionin për një Gostivar modern, duke theksuar se çdo premtim do të shoqërohet me përgjegjësi.
Në këtë prezantim, ai zbuloi projektin madhor për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Vardar, të cilën e quajti simbol të bashkimit dhe modernizimit të qytetit.
“Është një vepër e vërtetë urbane, e dizajnuar me inxhinieri bashkëkohore. E kemi quajtur Ura e Harmonisë për të theksuar virtytin e banorëve të Gostivarit. Dhëntë Zoti të jemi bashkë kur ju do ta përuroni!”, tha Limani.
Sipas tij, ky projekt do t’i japë një pamje evropiane qytetit dhe do të mbetet si vlerë e përhershme për gjeneratat e ardhshme.
The post Rinia me mbështetje të veçantë: 60 mijë denarë për startup-e, premton Valbon Limani appeared first on Flaka, në çdo lajm… .