Rivali i Ervis Martinaj, Policia prangos bosin e basteve Ardit Kraja
Ardit Kraja, një biznesmen i njohur në fushën e basteve sportive, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Mediat atje raportojnë se mbi pronarin e ish-Superbast rëndojnë një sërë akuzash që lidhen me veprimtarinë ilegale të bixhozit.
Në vendin tonë, Ardit Kraja rezulton se ka në pronësi disa kompani, nga bastet sportive te ndërtimi e investimet. Ai është konsideruar si një nga rivalët e biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj, pasi të dy zotëronin kompani të fuqishme në fushën e basteve online.
Newsbomb.al konfirmon zytrtarisht se Ardit Kraja është arrestuar nga Policia e Kosovës për organizim të bixhozit ilegal. Mbrëmjen e së mërkurës ai është arrestuar, pasi kërkohej nga dy gjykata, ajo e Prizrenit dhe ajo e Mitrovicës.
Biznesmeni Ardit Kraja ka qenë një emër i njohur dhe për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Kur PSRK-ja ngriti aktakuzë kundër Skerdi Feros, Sokol Stafajt, Alban Petit, Lulzim Paqaradës, Fidan Hoxhës, Gasper Kaçinarit, Jozef Gjinit, Fisnik Sadrijat, Flakron Kurteshit e Rrezarta Miftarajt, i kishte përshkruar si punonjës të Ardit Krajës.
“…të akuzuarit në këtë rast dikur kanë punuar për bastoret e shtetasit të Shqipërisë, Ardit Kraja, dhe pas muajit prill 2019 kur në Kosovë bixhozi “thjeshtë kanë vazhduar me aktivitete e njëjta”, thuhet në aktakuzën e autoriteteve në Kosovë.
Vite më parë në luftën për kontroll dhe territorit sa i përket lojërave të fatit, biznesmeni Kraja u kërcënua nga Ervis Martinaj, ku sipas burimeve u detyrua të fshihej për rreth një muaj nga frika për një kanosje të mundshme, që i solli humbjen e pothuajse të gjitha pikave të basteve në Shkodër.
Madje atë kohë, u hap fjala se biznesmeni ishte plagosur në një atentat që i ishte bërë, por vërtetësia e ngjarjes nuk u zbardh kurrë.