Rodri: Dallimi mes Sitit dhe Arsenali është te mentaliteti superior
Mesfushori i Man. Sitit, spanjolli Rodri, deklaron se skuadra e tij arriti të triumfojë ndaj Arsenalit në garën për titullin në Premier Ligë për shkak të një mentaliteti superior. Ai kritikoi “topçinjtë” që u kënaqën me një barazim në përballjen direkte në mars, duke mos i mundur dot.
“Të jem i sinqertë, mendoj se është mentaliteti ai që na shpalli sërish kampion në Premier Ligë. Edhe Arsenali e meritonte, bënë një sezon të pabesueshëm, por mendoj se ndryshimi ishte këtu, në kokë. Te mentaliteti që ne kemi dhe që u mungon rivalëve tanë,” tha në fillim mesfushori spanjoll.
“Kur erdhën këtu, ata u përballën me ne në Etihad, i pashë dhe thashë: “Ah, këta djem, nuk duan të na mundin, duan vetëm një barazim. Dhe me këtë mentalitet ata nuk mund të fitojnë dot titullin”, u shpreh më tej Rodri, që thumbon skuadrën e trajnerit Arteta, që e mbylli dy pikë më pas në renditje.
“Ata ishin përpara nesh në renditje por ne i kapëm ata. Në fund, nëse kundërshtarët na falin një pikë, ne do t’i fitojmë shtatë, tetë ndeshjet e fundit edhe pse është kaq e vështirë. Kështu që unë mendoj se kjo varet nga mentaliteti”, tha Rodri.