
Rrëfimi tronditës i detektives: Si gruaja e policit tentoi të më rrëmbejë vajzën tek pallati
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pas publikimit të lajmit për tentativën e rrëmbimit të një vajze 7-vjeçare në afërsi të pallatit ku ajo banonte në Tiranë. Vajza e mitur është fëmija e detektives private të njohur, Shkënda Lili. Fatmirësisht, tentativa për rrëmbim dështoi falë reagimit të shpejtë të vajzës.
Shkënda Lili, e ftuar në emisionin “Top Story”, ka rrëfyer në detaje ngjarjen e tmerrshme dhe hetimin e saj intensiv që çoi në zbulimin e autores. Gjatë rrëfimit të saj, Lili ka theksuar se ngjarja nuk kishte lidhje me punën e saj si detektive private.
Pas një hetimi të zhvilluar nga Shkënda Lili me ndihmën e detektivëve të saj privatë dhe në bashkëpunim me forcat e policisë, u zbulua se autorja e tentativës së rrëmbimit ishte një grua që banonte në një kompleks mes Fushës së Aviacionit dhe zonës së Astirit në Tiranë. E dyshuara është bashkëshortja e një efektivi policie që shërben në komisariatin numër 3 të Tiranës. Sipas informacioneve të bëra publike nga Lili, gruaja dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor dhe kjo nuk është hera e parë që ajo përfshihet në incidente të tilla. Ajo ishte e njëjta grua që 8 muaj më parë u filmua në një supermarket duke marrë një fëmijë të vogël dy vjeçar.
Shkënda Lili ka rrëfyer se ka kaluar një javë të tmerrshme dhe ka shprehur mirënjohjen për reagimin e shkathët të vajzës së saj. Ajo ka sqaruar se pavarësisht dyshimeve fillestare, hetimi i saj ka konfirmuar se ngjarja nuk lidhej me profesionin e saj. Lili ka falenderuar Policinë për bashkëpunimin dhe ka treguar se autorja u zbulua dhe ngjarja u zbardh brenda 24 orëve.
Sipas rrëfimit të detektives, ngjarja ka ndodhur në rezidencën ku ajo banon, e cila siguron një nivel të lartë sigurie me kamera dhe personel. Ajo ka treguar se vajza e saj i kishte kërkuar t’i çonte skuterin lart dhe të merrte një bluzë. Ndërsa Lili ishte ngjitur me ashensor, vajza e ka marrë në telefon duke bërtitur se dikush po e rrëmbente. Lili ka reaguar menjëherë duke shkuar poshtë, por askush nuk e kishte vënë re incidentin. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë së lokalit pranë rezidencës, ajo ka parë lëvizjet e gruas, e cila e kishte kapur vajzën për krahu. Vajza kishte reaguar shpejt duke u shpëtuar, por gruaja e kishte ndjekur dhe e kishte kapur sërish, duke i lënë shenja në krah.
Pas identifikimit të kompleksit ku banonte autorja, Lili ka bashkëpunuar me policinë për ta lokalizuar. Pas hetimesh, u zbulua se gruaja ishte bashkëshortja e një punonjësi policie në komisariatin numër 3, dhe ai kishte treguar historinë e problemeve të shëndetit mendor të bashkëshortes së tij dhe incidentet e mëparshme të ngjashme ku ajo kishte ngacmuar fëmijë.