Rrethi i Kilian Mbape-s, të pakënaqur me ofertën e gjigantit spanjoll
Kalimi i shumëpritur i Kilian Mbape-s gjatë verës te Real Madridi mund të jetë në dyshim, pasi rrethi i lojtarit nuk janë të kënaqur nga oferta e gjigantit spanjoll.
Një raportim nga “The Athletic” sugjeron se ani pse Mbappe personalisht po shtynë drejt transferimit tek Real Madridi në fund të sezonit, ‘persona me rëndësi në rrethin e tij’ kanë qenë të pakënaqur nga propozimi i klubit spanjoll. Oferta e Real Madridit raportohet të jetë më e vogël në krahasim me atë që i kanë bërë rreth dy vite më parë, kur atëherë Mbape vendosi që ta refuzojë atë në favor të qëndrimit tek PSZH-ja.
Propozimi i mëparshëm besohet të ketë qenë rreth 26 milionë euro në sezon, si dhe një bonus nënshkrimi në vlerë prej 130 milionë eurosh. Paga e tij momentale tek PSZH-ja është 75 milionë euro neto dhe “The Athletic” thekson se Real Madridi nuk do t’i ofrojë të njëjtën.
Ani pse paga që ofron Reali është më e vogël, presidenti Florentino Perez po shpreson se përpjekjet e tij janë të mjaftueshme për ta bindur Mbappen që ta zgjedhë ekipin e tij. Tashmë dihet se Real Madridi ka vite që po mundohet të transferojë 25-vjeçarin, i cili kur kishte qenë i vogël kishte vizituar ambientet e brendshme të klubit dhe madje ishte stërvitur me grupmoshat “U12”.
Klube si Çellsi, Man. Siti, Liverpulli dhe Bajern Munihu ishin të interesuara për të në atë kohë, por në fund Mbape vendosi ta pranojë ofertën e Monako-s.