
Rreziku i madh – Bujar Osmani alarmon: Fushatë për anulimin e regjistrimit me 29.5% shqiptarë!
Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, përmes një postimi në Facebook, akuzon qeverinë aktuale për devijim nga integrimi euroatlantik dhe për përhapje të ndikimeve të huaja, duke e cilësuar vendin si një lojtar të “Botës Serbe” nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës.
Osmani paralajmëron se funksionarët qeveritarë kanë nisur një fushatë për të diskredituar rezultatet e regjistrimit të fundit, duke ngritur dyshime nëse po përgatitet anulimi i rezultatit që regjistroi 29.5% për komunitetin shqiptar.
“A është kjo paralajmërim se do të tentojnë të anulojnë rezultatin 29.5%?” – pyet ish-ministri.
Ai citon një raport të Parlamentit Evropian, i cili sipas tij, thekson se Maqedonia e Veriut është duke u kthyer në një lojtar të “Botës Serbe”, duke u varur shumë nga ndikimet ruse dhe kineze. Kjo sipas Osmanit, po rrezikon seriozisht procesin e integrimit në BE dhe NATO.
Osmani kritikon gjithashtu vendimin që Petar Bogojeski do të ligjërojë në Akademinë Ushtarake, duke e cilësuar këtë si një tjetër shenjë të nënçmimit të agjendës së NATO-s, pas atij të agjendës evropiane.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Osmani është çështja e dëftesave njëgjuhëshe në komunën e Butelit, që sipas tij, përbën një ndryshim të papranueshëm për komunitetet joshqiptare në atë rajon.
Bujar Osmani kërkon kthim në rrugën e stabilitetit dhe integrimit euroatlantik, duke paralajmëruar se devijimi nga kjo agjendë po e fundos Maqedoninë e Veriut në ndikime të jashtme destabilizuese. Flaka