Rrustem Thaqi, kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 367-të, të hënën, ka zgjedhur Rrustem Thaqin kryesues të ri.
Në votim morën pjesë 11 anëtarë, prej tyre gjashtë vota ishin për Thaqin, ndërkaq pesë për kundërkandidatin e tij, Besnik Bislimaj.
Mandati i Thaqit si kryesues do të jetë trevjeçar dhe fillon nga data 25 maj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Detyra e Thaqit si gjyqtar i Gjykatës Supreme pezullohet përgjatë ushtrimit të mandatit të tij si kryesues i KGJK-së, ndërkaq paga e tij përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sikurse në konkursin e kaluar, në garë ishin dy kandidatët e njëjtë Besnik Bislimaj- gjyqtar nga Gjykata e Apelit dhe Rrustem Thaqi, gjyqtar nga Gjykata Supreme.
Komisioni zgjedhor kishte në përbërje sërish: Ahmet Imamin, Astrit Hotin dhe Bislim Gashin.
Ndryshe, dy kanddiatët nuk mbajtën fjalim para votimit, pasi kishin paraqitur vizionet e tyre në procesin e kaluar.
Fillimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Por, më 30 prill dështoi zgjedhja e kryesuesit pasi dy kandidatët morën nga pesë vota, kështu u rishpall konkursi.
Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj. Mandati i tij përfundoi më 9 mars 2026. Për sfidat me të cilat është përballur gjatë mandatit dhe punët që janë kryer sa ishte në detyrë, Zogaj ka folur në një intervistë për “Tempus”, të cilën mund ta ndiqni duke klikuar: KËTU.
Kujtojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës më 24 prill 2026 kishte zgjedhur anëtarë të KGJK-së, Bashkim Hysenin- gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe Ivana Milenkoviqin- nënkryetare dhe gjyqtare në Gjykatën e Apelit, por dështoi zgjedhja e një anëtari tjetër.
Këshilli Gjyqësor parashihet të ketë 13 anëtarë, aktualisht me zgjedhjen e Hysenit dhe Milenkoviqit janë 11, duke mbetur edhe dy vende pa u plotësuar, derisa për një vend po zhvillohet procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore Prishtinë, derisa seanca u mbajt më 4 maj 2026. /BetimipërDrejtësi