Rutte prezanton 3 projekte, Samiti i NATO-s nisi me forumin e industrisë së mbrojtjes
Marrja e rolit udhëheqës nga Evropa në mbrojtjen konvencionale dhe ndërtimi i vizionit “NATO 3.0”, i cili parashikon rishikimin e pranisë ushtarake të SHBA-së në Evropë, janë pikat kryesore që do të jenë në fokus të Samitit të NATO që mbahet sot dhe nesër në Ankara të Turqisë. Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe investimet në mbrojtje, mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe përpjekjet për zgjerimin e bazës industriale të mbrojtjes së Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në konferencën për media të mbajtur të martën tha se aleanca ka bërë përparim të jashtëzakonshëm një vit pas përcaktimit të misionit të saj për të forcuar bashkëpunimin përmes investimeve në mbrojtje dhe prodhimit lokal që zvogëlon varësinë nga furnizuesit jo-aleatë.
Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s
“Industritë në të gjithë Evropën po punojnë krah për krah me homologët e tyre të Amerikës së Veriut për të inovuar dhe zhvilluar aftësi të gjeneratës së ardhshme. Këto janë aftësi që janë vërtet ‘Made in NATO’, jo nga një komb, por nga disa që punojnë së bashku… kështu e bëjmë aleancën tonë më të fuqishme. Është mënyra se si i mbrojmë 1 miliard njerëzit tanë dhe çdo centimetër të territorit tonë tani dhe në të ardhmen”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz tha sot para nisjes në samit se, Samiti i NATO-s në Ankara po zhvillohet në kohë të trazuara dhe në këto kohë ne kemi nevojë për një NATO të fortë dhe të bashkuar si një garantues i lirisë dhe sigurisë sonë.
Friedrich Merz, kancelar gjerman
“Shpresoj që, së bashku, ne mund të kemi sukses në nxitjen e një “Shpirti të Ankarasë” në këtë samit. Ne po ndërtojmë një NATO më evropiane në mënyrë që NATO të mund të mbetet transatlantike. Ky duhet të jetë mesazhi që del nga ky samit”.
Në këtë samit merr pjesë edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump i cili pritet t’i komunikojë Presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, se është i gatshëm të rikthejë Turqinë në programin e avionëve luftarakë F-35, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane ndaj Ankarasë.
Kujtojmë se, viteve të fundit, Trump ka kërcënuar të tërhiqet nga NATO dhe ka vënë në pikëpyetje nëse është e vlefshme për Shtetet e Bashkuara, të cilat ai argumenton se po mbështesin sigurinë e Evropës, të mbeten anëtare.
Teuta Buçi /SHENJA/