
“Sa herë vdes dikush i UÇK-së, vdes edhe pak Kosovë” – Reagon gazetari Mehmetaj pas vrasjes së rreshterit Muhamed Lika
Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër pas vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, duke ngritur shqetësime serioze për nivelin e sigurisë në vend, raporton Demos.
Mehmetaj ka theksuar se vrasja e një polici në prag të shtëpisë është treguesi më i frikshëm i pasigurisë totale në Kosovë. Sipas tij, fakti që një person mund të ekzekutohet para derës së tij, madje edhe kur është i armatosur dhe i trajnuar për t’u përballur me rrezikun, tregon moskokëçarjen e kriminelëve ndaj shtetit dhe ligjit.
Postimi i plotë;
Cili është ai shtet që ia vrasin policin në prag të shtëpisë?
Për mua nuk ka shënjues më të saktë, e rrjedhimisht më të frikshëm, për pasigurinë absolute me një vend, sesa mundësia që dikush me të vra në prag të shtëpisë.
S’më duhen as statistika, as analiza e as opinione të ekspertëve.
Guximi i njerëzve me të ekzekutu në hyrje të banesës, në oborr të shtëpisë, në prag të derës, flet jashtëzakonisht shumë për moskokëçarjen e kriminelit për ligjin, shtetin.
Shto faktin që kjo i ndodhë edhe një polici, që është edhe i armatosur edhe i trajnuar të përballet me rrezikun, paramendoje për njerëz të rëndomtë, qytetarë të thjeshtë, të gjithë ne të tjerët.
Një vend ku s’ka siguri fizike, se vijnë të vrasin te dera e s’ka siguri juridike se ligji për disa vlen e për disa jo, nuk është shtet, më shumë është një tokë e banueshme me rregulla në ndryshim të vazhdueshëm e me sundim të bandave.
Fatkeqësia është se këtu s’ke as kujt i kërkon llogari.
A dilet me i kërku llogari Xhelal Sveçlës, i cili detyrën e mban veç me abuzu me të?
A i kërkohet llogari Albulena Haxhiut, e cila edhe kur ia vranë gruan shtatzënë në pikë të ditës në QKUK, as një shpjegim se jepte se kohën e kish të okupuar me terminë te frizerka?
Ai kërkohet llogari Albin Kurtit i cili bën thirrje të hapur për mos bindje të ligjit, sepse beson që as Gjykata Kushtetuese e as Prokuroria nuk kanë të drejtë ta kryejnë punën e vet, se s’kanë dalë në zgjedhje?
A i kërkohet llogari Prokurorisë, e cila qe sa muaj s’guxon ta dërgojë Albin Kurtin në objekt për ta intervistuar?
Po provoj me marrë informacione për rastin e vrasjes së Rreshterit Muhamed Lika. Pothuajse askush s’e di çfarë ka ndodhur.
Ka dyshime se bëhet fjalë për ndonjë pazar që ia ka prish ndokujt me punën e tij. Gjithë qyteti e kish pas njoftë për profesionist të madh, punëtor të palodhur, trim të pakursyer e njeri fort modest.
Zatën s’ka pas si me qenë ndryshe kur i njëjti ishte edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për mua, sa herë vdes dikush i UÇK-së, është sikur të vdes edhe pak Kosovë bashkë me të. Na si popull s’e kemi meritu këtë gjeneratë trimash.
Na dhanë çka s’kishim dhe s’po jemi gati ta mbajmë.