Sabriu në Uashington tekon ambasadorin Philip T. Reeker, diskutohen reformat sociale dhe eurointegrimet
Sekretari shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, gjatë vizitës zyrtare në Washington, D.C. ka zhvilluar një takim me ambasadorin Philip T. Reeker, ku është biseduar për reformat në politikat sociale dhe procesin eurointegrues të vendit.
Sabriu bëri të ditur se takimi ishte “mjaft produktiv”, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin politikat sociale, përfshirë inkluzionin e personave me aftësi të kufizuara dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Diskutuam gjerësisht për reformat në politikat sociale, me fokus të veçantë te inkluzioni i personave me aftësi të kufizuara dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve. Ndajmë të njëjtin mendim se përfshirja e të rinjve në vendimmarrje është jetike për një shoqëri progresive”, ka shkruar Sabriu.
Në takim është folur edhe për situatën aktuale politike në vend dhe për nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.
“Patëm një bisedë të hapur mbi situatën aktuale politike në vend dhe domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit tonë eurointegrues. Mbështetja e partnerëve tanë strategjikë mbetet shtylla kryesore e rrugëtimit tonë drejt familjes evropiane”, theksoi ai.
Sabriu shtoi se institucionet do të vazhdojnë punën me përkushtim në realizimin e reformave dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.