Sali merr pjesë në aktivitetet zyrtare të Festës Kombëtare të Francës
Ministri për Integrimet Evropiane, Bekim Sali, më 13 dhe 14 korrik po merr pjesë në aktivitetet zyrtare të organizuara në Francë me rastin e Festës Kombëtare të këtij shteti.
Në kuadër të vizitës, Sali do të marrë pjesë në Takimin e Koalicionit të Vullnetarëve, në darkën zyrtare të organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, si dhe në paradën tradicionale ushtarake të 14 Korrikut.
Sipas ministrit, vizita paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e qëndrimeve lidhur me sfidat aktuale të sigurisë në Evropë, mbështetjen për Ukrainën dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve evropianë.
“Sot dhe nesër marr pjesë në aktivitetet zyrtare të organizuara me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Në kuadër të vizitës do të marr pjesë në Takimin e Koalicionit të Vullnetarëve, në darkën zyrtare të organizuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe në paradën tradicionale ushtarake të 14 Korrikut. Këto takime janë një mundësi e rëndësishme për të diskutuar sfidat aktuale të sigurisë evropiane, mbështetjen për Ukrainën dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet partnerëve evropianë”, deklaroi Sali.