Saliba: Jemi afër, shumë afër që të fitojmë titullin në Champions
Në Londër, skuadra e Arsenal do të presë PSV Eindhoven për ndeshjen e dytë të fazës së 16-të në Ligën e Kampionëve. Një ndeshje që do të jetë një formalitet për të dyja skuadrat, pasi “topçinjtë” kanë fituar 7-1 ndeshjen e parë në Holandë. Mbrojtësi i Arsenal, Uiliam Saliba, duke folur për mediat konfirmoi dëshirën e tij për të kërkuar një tjetër fitore, për të mbajtur moralin dhe ndërgjegjësimin e skuadrës lart.
“Nuk e di nëse do të luaj. Kam dëshirë sepse është një ndeshje e Champions. Ne duam të fitojmë sepse do të na jepte shumë besim”.
Në lidhje me këtë turne kontinental, ku Arsenal po paraqitet shumë mirë, ai besomn në suksesin final
“Të gjithë duan të fitojnë Ligën e Kampionëve, sepse është një kompeticion që e shikon kur je i vogël. Do të japim gjithçka dhe më pas gjithçka mund të ndodhë. Mendoj se jemi afër, shumë afër. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë trofe, nuk do të ndalemi së punuari. Kur je në një klub si ky, dëshiron të fitosh trofe. Është e trishtueshme që nuk e kemi bërë tashmë, por duhet të vazhdojmë. Jam shumë i bindur se do të arrijmë atje”, tha Saliba.
Në lidhje më të ardhmen dhe një zgjatje të mundshme të kontratës, e cila skadon në qershor 2027, Saliba ishte i qartë.
“Unë jam në një klub si Arsenal dhe jam shumë i lumtur këtu. Kam edhe dy vite në kontratën time dhe dua të vazhdoj këtu,“ tha mes tjerash Saliba.