Sanço rikthehet te Dortmundi, zbardhen detajet e huazimit
Xhadon Sanço do të rikthehet te Borusia Dortmund. Sulmuesi i majtë anglez, ka përfunduar jashtë projektit të Man. Junajtedit. Përplasja me trajnerin Erik ten Hag ka ndikuar që 23-vjeçari të mbetë jashtë skuadrës. Sanço kërkon me çdo kusht grumbullimin me kombëtaren e Anglisë në Euro 2024, dhe në ndihmë pritet t’i vijë ish-skuadra e tij. Me Dortmundin shkëlqeu gjatë katër sezoneve (2017-2021) në “Signal Iduna Park”. Në verën e vitit 2021 erdhi transferimi tek Man. Junajtedi për 85 mln euro. Dy klubet kanë arritur akordin për huazimin e lojtarit deri në fund të sezonit te nënkampionët e Gjermanisë.
3 mln euro do të paguajnë drejtuesit e Dortmundit te “Djajtë e Kuq”, ndërkohë që kanë mbetur për t’u zgjidhur detajet e fundit që kanë të bëjnë me bonuset në lidhje me kualifikimin e “verdhezinjve” në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.
Vetë futbollisti insistoi duke ua bërë të qartë menaxherëve të tij se dëshiron me çdo kusht rikthimin te Dortmundi. Dëshirë që i është plotësuar. Dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi i rikthimit tek ekipi i Edin Terzic. Dortmundi ka siguruar kualifikimin në raundin e 1/8-ve në Ligën e Kampionëve , ku do të sfidojë holandezët e PSV-së me misionin për të siguruar një biletë në çerekfinale.
Ndërkohë, skuadra renditet në vendin e pestë në kampionat me 27 pikë ose 15 pikë më pak se Leverkuseni kryesues dhe 6 pikë larg zonës së Ligës së Kampionëve.