Saraj – Votat e VMRO-së përcaktojnë fituesin, Muhamed Elmazi kryetar i ri i komunës
Zgjedhjet lokale në Saraj u mbyllën me një rezultat që ka hapur shumë diskutime politike. Me 9,664 vota, Muhamed Elmazi u shpall fitues ndaj Blerant Ramadanit, i cili grumbulloi 9,139 vota. Diferenca prej vetëm 525 votash u përcaktua nga elektorati i VMRO-DPMNE-së, i cili luajti rolin vendimtar në garën për kryetar komune.
Për Këshillin e Komunës, AKI doli forca e parë me 9,205 vota, pasuar nga Vlen me 9,004 vota, ndërsa VMRO-DPMNE siguroi 589 vota. Janë regjistruar gjithsej 371 vota të pavlefshme.
Ky rezultat shihet si një sinjal alarmi për spektrin politik shqiptar: nëse partitë shqiptare nuk arrijnë të unifikojnë votën, atëherë vendimet për kryetar komune nuk do t’i përcaktojë më shumica shqiptare, por elektorati maqedonas.
Në Saraj, për herë të parë pas shumë vitesh, u dëshmua se “vota vendimtare” nuk ishte shqiptare, por maqedonase – duke e kthyer këtë komunë në një shembull të qartë të fragmentimit politik që prodhon humbje edhe aty ku shumica është e garantuar.