
Sekuestrohen mbi 16 mijë franga false në Han të Elezit, në pranga shtetasi i Maqedonisë së Veriut (FOTO)
AA
Një tentim për kontrabandimin e monedhave të dyshuara të falsifikuara është zbuluar në pikën kufitare në Han të Elezit, më 12 korrik 2025. Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka ndaluar një veturë me targa të Maqedonisë së Veriut, brenda së cilës janë gjetur mbi 16 mijë franga zvicerane në monedha metalike, që dyshohet se janë të falsifikuara, shkruan Insajderi.
Rreth orës 21:15 të së shtunës, gjatë një kontrolli rutinë, zyrtarët kufitarë kanë ndalur për inspektim një automjet të tipit Audi A2, me ngjyrë të gjelbër metalike, i cili drejtohej nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i identifikuar me inicialet S. Xh., i lindur në vitin 1981 në Shkup.
Pas verifikimit të dokumenteve, automjeti është selektuar për kontroll të detajuar. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë inspektimit nën ulëset e përparme janë zbuluar disa qese plastike të mbushura me monedha metalike prej 2 frangash zvicerane (CHF), të vendosura në vende të fshehta të makinës.
Hetuesit e njësive përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas numërimit paraprak, janë sekuestruar 8,076 monedha, që përbëjnë vlerën totale prej 16,152 franga zvicerane, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.
Prokurori për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërkohë që ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën “Falsifikim i parasë”.
Si provë materiale janë sekuestruar vetura dhe monedhat e dyshuara, ndërsa rasti është dorëzuar tek njësia kompetente rajonale për hetime të mëtejshme.
Policia e Kosovës ka theksuar edhe një herë angazhimin e saj në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht atij financiar dhe ndërkufitar.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit ndërkufitar, me fokus të veçantë ndaj veprave penale që cenojnë sistemin financiar dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.