Sela kritikon ashpër ligjin “Safe City”: Synon zhvatjen e shqiptarëve
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të ligjit “Safe City”, duke e cilësuar si një projekt që, përtej qëllimit të promovuar të sigurisë qytetare, synon të godasë ekonomikisht shqiptarët.
Sela vuri në dukje se kamerat e projektit janë të përqendruara në komunat me shumicë shqiptare si Çair, Saraj dhe Butel në Shkup, si dhe në qytete si Tetova dhe Kumanova. Ai theksoi mungesën e infrastrukturës rrugore, parkimeve dhe sinjalistikës, duke shtuar se ndëshkimet për qytetarët janë të larta ndërkohë që nuk ka shërbime bazë.
“Kjo është eksploatim i qytetarëve shqiptarë. Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthejë rreth 2 miliard euro kredi, por investimet duket se janë të pabarabarta dhe projekti ‘Safe City’ shkon aty ku ka më pak investime,” deklaroi Sela.
Ai u shpreh i vetëdijshëm për akuzat se çdo gjë i jepet konotacion etnik, por theksoi se qëllimi i tij është vetëm të tregojë të vërtetën dhe se Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë.