
Selimi godet Fetain: Përfaqësimi nuk është dhuratë nga Belgjika, por sakrificë me gjak!
Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Zëvendëskryeministrit Arben Fetai lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në administratën publike.
“Nuk dua të hyj në përplasjet e tyre partiake, por kjo deklaratë është jo vetëm e paqëndrueshme, por edhe e turpshme,” ka shkruar Selimi në një reagim publik.
Ai thekson se ndonëse Fetai pretendon progres, punësimet në administratën publike vazhdojnë të jenë thellësisht disproporcionale. Ligji për të cilin flet zv.kryeministri, sipas tij, është ende në fazë paraprake dhe jo në fuqi – as de jure e as de facto.
“Edhe sikur të miratohet, ai është i dobët, pa mekanizma zbatues dhe pa sanksione për shkelësit,” shton Selimi.
Analisti përkujton se përfaqësimi i drejtë nuk është ndonjë favor i sjellë “nga Belgjika”, siç e ironizon ai Fetain, por një prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit – një e drejtë e fituar me gjak dhe sakrificë, e jo me “deklarata shterpe”.
Ky reagim vjen në një moment kur tensionet politike mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë në rritje, ndërsa zërat kritikë ndaj qeverisë për mungesë zbatimi real të ligjeve për barazi po shtohen.