Sfida me Ukrainën, kombëtarja e Shqipërisë niset e plotë drejt Pragës
Me grup të plotë në prag të ndeshjeve të Nations League. Shqipëria mbylli stërvitjet me intensitet maksimal, teksa me grupin është stërvitur edhe Enea Mihaj, i cili mbërriti i fundit në grumbullim.
Kombëtarja niset e plotë drejt Pragës, për ndeshjen e parë të edicionit të ri, ku do të luajë ndaj Ukrainës, që në rolin e ekipit pritës i zhvillon ndeshjet në fushë neutrale. Pas ndryshimeve në listë, ku Broja dhe Gjimshiti të dëmtuar u zëvendësuan nga Uzuni dhe Ardian Bajrami.
Pjesa tjetër e futbollistëve është e gjitha në dispozicion të trajnerit Sylvinho, me stërvitjen që u zhvillua në palestër, për të vijuar në pas në fushë. Trajneri dhe stafi i tij e përqendruan punën te pjesa taktike, me skuadrën që duhet të jetë e kujdesshme përballë një rivali me peshë në futbollin kontinental.
Forma fizike e të gjithë futbollistëve kuqezi është paraqiture mirë dhe tashmë mbeten për tu parë zgjedhjet teknike të Sylvinhos, për të synuar rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Të premten kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të ndeshjes me Ukrainën. Shqipëria debuton në datën 7 shtator, me ndeshjen në Epet Arena që nis prej orës 20:45.
Aventura e kuqezinjve në Grupin B1 të Nation League vijon më 10 shtator, me sfidën e parë në shtëpi, ku Kombëtarja do të ketë përballë Gjeorgjinë. Takimi në Arenën Kombëtares nis në orën 20:45.