Shalke drejt falimentimit, i kërkon tifozëve ta blejnë stadiumin
Shalke ka rënë në nivele të ulëta vitet e fundit dhe nuk mund të dalë nga kriza që ka zgjatur shumë dhe tashmë po arrin kulmin. Mediat në Gjermani njoftuan se Shalke ka një borxh të pabesueshëm prej 168 milionë euro dhe tani po i lutet tifozëve që ta ndihmojnë dhe ideja është që ata të blejnë aksione në stadiumin ikonik “Veltins Arena” në Gelzenkirshen.
Drejtuesit e Shalkes duan të zgjidhin të gjitha problemet dhe borxhet e grumbulluara me shitjen e stadiumit dhe me një deklaratë zyrtare kanë bërë të ditur se do të shesin aksionet e stadiumit. Së pari do të krijohet një shoqatë e re për këtë qëllim dhe çmimi për aksion duhet të jetë më pak se 750 euro. Këtë e ka konfirmuar presidenti i Shalkes, Matias Tillmann, i cili ka shpjeguar se shoqata e sapoformuar do të blejë kështu aksionet e stadiumit, i cili do të vazhdojë të menaxhohet plotësisht nga klubi.
Gazeta e njohur “Bild” e quajti këtë lëvizje të Shalkes si fillim të një “Fushate lypjeje” dhe projekti do të nisë pas rreth një muaji, kur është caktuar mbledhja e asamblesë së Shalkes. Klubi pret që ky model biznesi të sjellë shërim. Shalke u largua nga Bundesliga në sezonin 2020/21, më pas arriti të rikthehej në rangun e elitës, por pasoi sërish një rënie ekspres dhe kjo skuadër ka dy sezone që luan me Bundesliga 2.
Këtë sezon Shalkes do t’i duhet të luftojë për mbijetesë në nivelin e dytë të garave, pasi skuadra ka fituar vetëm tetë pikë nga po aq ndeshje dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 13-të në tabelë. Shalke fitoi trofeun e fundit në vitin 2011, kur fitoi Kupën e Gjermanisë. Shalke ishte kampion i Gjermanisë pesë herë, por hera e fundit që klubi fitoi titullin ishte në vitin 1958.