Shasivari shpërblen studentët më të suksesshëm: Dija është investimi më i sigurt për të ardhmen
Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për studentët me mesataren më të lartë, të organizuar nga Forumi Rinor Islam në kuadër të manifestimit tradicional “Në gjurmët e më të mirëve”.
Shasivari, i cili është edhe profesor universitar, vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se dija, puna, disiplina dhe përkushtimi janë vlera që meritojnë të promovohen në shoqëri.
Sipas tij, investimi në arsim dhe në të rinjtë është ndër investimet më të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.
“Një shoqëri që vlerëson dijen, ndërton një të ardhme më të drejtë”, theksoi Shasivari, duke përgëzuar studentët e shpërblyer për rezultatet e arritura, familjet e tyre për mbështetjen e vazhdueshme dhe Forumin Rinor Islam për organizimin e këtij manifestimi.
“Suksesi juaj është krenaria jonë, ndërsa dija juaj është investimi më i sigurt për të ardhmen!”, ishte mesazhi i ministrit për studentët. (INA)