
Shehaj: Pas 34 vitesh, ka një parti që nuk premton qiqra në hell. Duam të sjellim në Shqipëri të njëjtat mundësi si në Perëndim
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në një takim elektoral në Elbasan, deklaroi se për herë të parë pas 35 vitesh, qytetarët shqiptarë kanë përpara një alternativë të ndershme që synon të sjellë ndryshimin e vërtetë në vend.
Ai theksoi se Partia Mundësia nuk bazohet në premtime boshe, por në një vizion të qartë për një Shqipëri me mundësi të barabarta për të gjithë.
“Pas 34 vitesh, në politikë ka një parti që nuk u premton qytetarëve qiqra në hell, por përfaqëson qytetarët e thjeshtë, ata që nuk kërkojnë favore apo privilegje, por vetëm të punojnë dhe të jetojnë me ndershmëri,” u shpreh Shehaj.
Ai tha se Partia Mundësia është themeluar për të ndërtuar në Shqipëri të njëjtat kushte dhe mundësi që gëzojnë qytetarët në vendet perëndimore.
“Këtë duam të sjellim dhe kjo është arsyeja pse kjo lëvizje është e padurueshme për pushtetin aktual, sepse me ne nuk krahasohen dot,” shtoi ai.
Shehaj foli edhe për rrugëtimin e Partisë Mundësia, ku tha se pas vetëm 9 muajsh, kjo forcë politike është e treta në Shqipëri.
“Në më pak se një vit kemi bërë takime në pothuajse të gjitha qarqet, kemi hapur fushatën dhe këtë të premte e mbyllim atë si një nga forcat më të rëndësishme politike në vend. Askush nuk besonte se pas vetëm 9 muajsh do të ishim partia e tretë në Shqipëri.
Na ndan vetëm një javë nga zgjedhjet. Duhet të flasim me njerëzit, t’u shtrijmë dorën, t’u themi që vetëm përmes votës së tyre Shqipëria mund të ndryshojë. 11 maji nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh – është dita kur vendoset fati i Shqipërisë jo vetëm për 4 vitet e ardhshme, por për 30 vitet që vijnë”, tha Shehaj.