
Shiu i rrëmbyeshëm përmbyti bodrume të shtëpive! Dëme materiale dhe në bujqësi
Pemë të rrënuara, përmbytje të bodrumeve, dëmtime të makinave dhe dëme në bujqësi, janë pasojat e shiut të rrëmbyeshëm dhe me breshër që ra dje pasdite.
Rruga “Cvetan Dimov” në Çair e tëra ishte e mbuluar me ujë. Automjetet ishin të bllokuara dhe mezi po lëviznin.
Ndërsa në lagjen Autokomandë nga moti i keq ra rrethoja e hekurt e një ure dhe rruga u bllokua
Nga stuhia e furishme pësoi edhe rajoni i Tetovës. Një numër i madh i rrugëve ishin nën ujë, ku komunikacioni ishte plotësisht i bllokuar si në qytet po ashtu edhe në magjistralen Tetovë-Shkup.
Edhe spitali i qytetit të Tetovës e pësoi keq. Dyshemeja e një reparti u mbulua me ujë dhe baltë.
Një qytetare thotë se kanë dëme të mëdha edhe kur ka reshje më të vogla të shiut.
Nga komuna e Tetovës nëpërmjet Facebookut njoftuan se amvisëritë të cilët kanë pasur dëme materiale, të njëjtat duhet t’i paraqesin në Komunë, deri te komisioni për vlerësimin e dëmeve. Po ashtu kërkesave duhet që t’ua bashkëngjisin edhe dëshminë me fotografi.
Komandanti i Njësisë kundër zjarrit, Avni Ameti, tregoi se edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar aksionet për nxjerrjen e ujit nga bodrumet.
Po ashtu dëme të të mbjellave nga moti i ligë janë raportuat edhe në rajonin e Kumanovës dhe Likovës.