
Shkëndija pëson disfatën e dytë në përgatitjet në Antalia
Skuadra e Shkëndijës vijon fazën përgatitore në Antalia nën drejtimin e trajnerit Jeton Beqiri, duke u fokusuar në përmirësimin e formës fizike dhe taktike për pjesën pranverore të sezonit.
Pas disfatës në takimin e parë kundër ekipit Yelimay Semey (0-3), sot Shkëndija regjistroi edhe disfatën e dytë, në përballjen me skuadrën ukrainase të Zorya Lugansk.
Skuadra tetovare, e para kaloi në epërsi falë realizimit të saktë nga penaltia të Besart Ibraimit. Përmbysja e rezultatit ndodhi në pjesën e dytë, ku skuadra ukrainase fillimisht barazoi shifrat në 1-1, duke shfrytëzuar një rrëmujë në zonën e skuadrës tetovare. Ndërkohë në 2 minuta para mbylljes së takimit, në një kundërsulm të shpejtë, skuadra ukrainase shënoi edhe golin e dytë. Deri në fund të takimit futbollistët e Shkëndijës tentuan që të barazojnë shifrat, por pa sukses.
Kujtojmë se Shkëndija do të zhvillojë edhe dy ndeshjet të tjera miqësore në Antalia dhe më 3 shkurt takohet me Sent Polltenin e Austrisë dhe Dinamo Kievin më 6 shkurt.