
Shkodran Alili pas shpalljes së kandidaturës: “Kjo nuk është një garë, por një betim”
Një ditë pas promovimit të kandidaturës së tij të pavarur për kryetar të Komunës së Kërçovës, Shkodran Alili ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh falënderues dhe emocional për qytetarët që morën pjesë në tubimin e djeshëm, përcjell ZYRTARE.net
Alili shprehet se emocionet që përjetoi gjatë ngjarjes në sallën sportive “Ivanidoll” janë të paharrueshme dhe se ai nuk ishte i vetëm në atë podium, por i mbështetur nga zëri dhe zemra e qytetarëve.
“Dje më dhatë një emocion që nuk do ta harroj kurrë. Salla ishte plot, zemrat edhe më të mbushura. Nuk isha vetëm në atë podium – isha me ju,” shkroi ai.
Ai e cilëson shpalljen e kandidaturës jo si një garë, por si një “betim”, ndërsa falënderon të gjithë ata që e mbështetën nismën, e cila, sipas tij, filloi nga “disa duar të vogla” dhe tashmë është kthyer në një “lëvizje kolosale”.
“Kërçova është shtëpia jonë, dhe shtëpia nuk lihet në duar të huaja. Shtëpia ndërtohet me dashuri, mbrohet me sakrificë dhe ringrihet me njerëz që nuk e kanë harruar se ku janë rritur,” thekson më tej Alili.
Postimi i tij përmbyllet me një mesazh shprese dhe vendosmërie, duke theksuar se rruga që ka nisur nuk do të jetë e lehtë, por do të jetë e ndershme dhe se ai nuk është vetëm në këtë mision. /ZYRTARE.net/