
Shqipëria hap kapituj të rinj negociatash me BE-në, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Kosova kthehen hapa pas!
Të martën, më 16 shtator, Presidenca Daneze e Bashkimit Evropian ftoi Shqipërinë që, në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapë edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE. Ky zhvillim shihet si një hap i madh përpara për Shqipërinë dhe përfaqëson një avancim të jashtëzakonshëm të procesit euro-integrues.
Megjithatë, BE-ja paralajmëroi aktorët politikë dhe institucionet e Kosovës të vetëpërmbahen nga çdo ndërhyrje e papërshtatshme në punën e Gjykatës Kushtetuese, pas kritikave nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe zyrtarët e partisë së tij. Kjo paralajmërim vjen një ditë pasi Ambasada e SHBA-ve njoftoi pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë kosovare. Analistët vënë në dukje se Kosova po izolohet nga Amerika dhe Evropa, sikurse Maqedonia e Veriut, e cila është futur në labirinthin e ndikimit të “Botës Serbe”.
Në fillim të shtatorit 2025, Beogradi organizoi një seri veprimesh të koordinuara që tejkalojnë kujtesën historike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në politikën aktuale. Më 7 shtator, në ceremoninë në Kajmakçalan, ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, së bashku me zyrtarë të tjerë, përforcoi narrativën e “unitetit të popullit serb” dhe praninë historike të Serbisë në territoret maqedonase. Ministrja Milica Gjurgjeviq Stamenkovski deklaroi gjithashtu se Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë “troje serbe”, duke nxitur reagime të forta në vend.
Veprimet përfshijnë vendosjen e pllakave për ushtarë serbë dhe figura të përfshira në pushtimin e Maqedonisë, si Voivoda Vuk, ndërsa brenda pesë ditësh u nënshkrua edhe një Memorandum bashkëpunimi mes Fondit të Sigurimit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Republikës Sërpska, duke shtrirë ndikimin nga simbolika historike te strukturat shtetërore. Kjo përfaqëson një formë të sofistikuar të “soft power”, ku historia përdoret për të legjitimuar praninë politike dhe kulturore të Serbisë në rajon, duke rrezikuar stabilitetin politik dhe tensionet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Në një zhvillim tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur shqetësim lidhur me miratimin e planit për hyrjen e kapitalit serb në sektorin bankar të Maqedonisë së Veriut. Komisioni i Letrave me Vlerë, në mbledhjen e saj të 65-të, të kryesuar nga kryetarja znj. Bujare Abazi – pjesë e strukturave të VLEN-it – miratoi procedurën që lejon “ALTA Banka” SHA Beograd të paraqesë ofertë për marrjen e “Stopanska Banka” SHA Bitola.
Ky kombinim ngjarjesh tregon sfidat e mëdha me të cilat përballet rajoni: ndërkohë që Shqipëria avancon me hapa të mëdhenj drejt Bashkimit Evropian, Maqedonia e Veriut dhe Kosova përballen me presione të brendshme dhe të jashtme që mund të minojnë proceset e tyre euro-integruese dhe stabilitetin multietnik.