“Shqiptaria është me Shkupin!”, protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në RMV
Studentë shqiptarë kanë organizuar një protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë të drejtën për t’i zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.
Protesta u mbajt në sheshin Sheshi Skënderbej, ku studentët u mblodhën me pankarta dhe mesazhe solidarizuese, si: “Jemi të gjithë bashkë” dhe “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”.
Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, protestuesit paralajmëruan marshim drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë, duke kërkuar respektimin e të drejtave të studentëve shqiptarë dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet arsimore.
Një nga folësit në protestë ishte studenti Jon Bislimi, i lindur dhe rritur në Francë, i cili tha se studentët historikisht kanë qenë në ballë të lëvizjeve kombëtare dhe shoqërore shqiptare.
“Studentët kanë qenë gjithmonë të parët në çdo lëvizje shoqërore e kombëtare. Sot u zgjuan në Shkup, sot jemi këtu në Tiranë dhe nesër duhet të vazhdohet në Prishtinë”, deklaroi ai para protestuesve.
Bislimi theksoi se shqiptarët nuk janë “mysafirë”, por “zot shtëpie”, duke shtuar se cenimi i të drejtave të një studenti shqiptar në Shkup prek njësoj shqiptarët në Tiranë, Prishtinë dhe Preshevë.
Gjatë protestës pati edhe thirrje për mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës shqipe në universitete dhe institucione, ndërsa turma herë pas here brohoriste “UÇK, UÇK”.
“Gjuha shqipe do të flitet, do të jetohet dhe do të mbrohet në çdo institucion. Nuk kërkojmë më vetëm të mbijetojmë, por të jetojmë me dinjitet dhe ballë lart”, u shpreh studenti shqiptar gjatë fjalimit të tij.
Protesta vjen në kohën kur studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë ngritur shqetësime lidhur me të drejtën për realizimin e provimeve në gjuhën shqipe, duke kërkuar trajtim të barabartë në institucionet arsimore.
