
Si u kthye kazerma “Ilinden” në qendër universitare në Shkup – rrëfimi i Bujar Osmanit, kandidat për kryetar të Çairit
Një histori transformimi që nisi në pranverën e vitit 2018, me iniciativën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe u realizua me përkushtimin e Bujar Osmanit – sot kandidat për kryetar të Komunës së Çairit nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Frontit Kombëtar.
Në një video rrëfim, Osmani kujton se gjithçka filloi kur mbante postin e zëvendëskryeministrit. “Në pranverë të 2018-s më thirri Ali Ahmeti dhe më tha se duhet të kryej një detyrë të rëndësishme,” shprehet ai. Sipas Ahmetit, vendi më i përshtatshëm për të ndërtuar universitetin e ri në Shkup ishte kazermja “Ilinden”, për shkak të hapësirave, standardeve të mira për studentët dhe simbolikës që mbante, përcjell PressOnline.al
Pas disa ditësh, Osmani së bashku me Generalin Muhamet Racaj vizituan kazermën, e cila aso kohe ishte ende aktive dhe e mbushur me ushtarë. “Pas shumë argumentesh dhe debatesh, në fund shtrënguam duart,” thotë Osmani. Vendimi përfundimtar i dha Universitetit të Natyrës rreth 5.000 metra katrorë të kësaj kazerme.
Më tej, nisi një procedurë e gjatë administrative në qeveri, që përfundoi me transferimin e pronës nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria tek Ministria e Arsimit dhe më tej tek universiteti. “Sot është një histori suksesi,” përfundon Osmani, duke vënë në dukje se aty ku dikur qëndronin ushtarët, sot studiojnë studentët.