Si u zbardh grabitja me kallash në “Diti-R”: kamera, arma dhe vetura i fundosin – tre të dyshuar në ndalim (Emrat)
Zhvillime të reja kanë dalë nga grabitja e armatosur që ndodhi në mes të ditës në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku një market u sulmua me kallash dhe u morën para nga arka.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, hetuesit rajonalë, menjëherë pas rastit, kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me forenzikën, ku përmes kamerave të sigurisë dhe veprimeve operative kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë tre persona të dyshuar.
Në pranga kanë rënë:
Bunjamin Terziu rreth 28 vjeç – i dyshuar kryesor,
si dhe Vullnet Sadriu rreth 28 vjeç dhe Rinor Hysaj rreth 38 vjeç, që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rast.
Sipas burimeve, i dyshuari kryesor ka hyrë në marketin “Diti-R”, i armatosur me AK-47, ku nën kërcënimin e armës i ka marrë rreth 500 euro nga arka shitësit N.R.
Pas arrestimeve, policia ka kryer bastisje në një shtëpi në afërsi të marketit, ku dyshohet se kishin qëndruar të dyshuarit. Aty është gjetur dhe sekuestruar:
* arma automatike AK-47, që dyshohet të jetë përdorur në grabitje,
* rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës,
* si dhe një veturë Audi Q7, pronë e të dyshuarit kryesor, e cila është gjetur pranë vendit të ngjarjes.
Forenzika rajonale ka kryer ekzaminimin dhe mbledhjen e provave materiale në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Grabitje e armatosur” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa tre të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe janë ndaluar për 48 orë.
Hetimet janë në zhvillim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.