
Silva beson: Mund të përmbysim Realin dhe të fitojmë Ligën e Kampionëve
Pasi humbi 2-3 në ndeshjen e parë play off të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit, skuadra e Man. Sitit kërkon sot në “Bernabeu” një përmbysje historike, që do ta kualifikonte më tej. I bindur se “citizens” mund t’ia dalin mbanë është mesfushori Bernardo Silva.
“Goli im vitin e kaluar në Madrid? Do të doja ta bëja sërish sot. Është gjithmonë e veçantë të shënosh në një stadium si ai. Do të jetë një ndeshje e vështirë, do të luftojmë deri në fund për t’ia dalë mbanë”, u shpreh portugezi pak para ndeshjes që do të luhet sot në mbrëmje.
“Kur luan kundër Real Madrid gjithnjë ka një përzierje emocionesh. Ne i eliminuam dy herë, ata gjithashtu na eliminuan dy herë. Humbëm një herë në minutën e fundit, një tjetër në penallti. Sot do të jetë një ndeshje e mrekullueshme,” shtoi mesfushori portugez.
“Nëse kualifikohemi ne kemi mundësinë për të fituar Champions League. Besojmë se është e mundur, pavarësisht rezultatit të keq në ndeshjen e parë. Mund t’i shkaktojmë probleme Real Madrid edhe nëse ata janë një ekip i nivelit të lartë. Nuk mund t’ju jap një përqindje, shpresoj të jetë më shumë se 1%”, tha Silva.
Në fund, portugezi komentoi sfidën e radhës në Ligën e Kampionëve.
“Për momentin, Real Madrid është favorit sepse na mundi në shtëpi. Ne e dimë se Real Madrid ka një histori të veçantë me Ligën e Kampionëve, por jemi gati për të dueluar me ta,” tha në fund Bernardo Sillva.